Oda Ekonomike e Kosovës dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës e kanë përkrahur vendimin e djeshëm të Qeverisë për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e produkteve të prodhuara në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë.
Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve konsideron se vendimi nuk duhet të tërhiqet.
Kemi kërkuar që me Bosnjën dhe Serbinë të sillemi si shtet dhe kemi pasur produkte të Serbisë që në Kosovë shiten më lirë sesa në Serbi, ashtu edhe kjo është shkelje e CEFTA-s dhe ironia më e madhe është kur kërkojmë përgjigje, nuk e japin, sepse nuk na njohin si shtet dhe çfarë kuptimi ka CEFTA kur dy vende nuk bashkëpunojnë”, tha ai.
Panxha shtoi se kritikat e Brukselit ndaj kësaj mase janë destinuar në adresë të gabuar, këto kritika duhet t’i bëjë ndaj Serbisë, pasi sipas tij, ky shtet bën shkelje të CEFTA-s.
Kurse, Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se beson se edhe fabrikat do ta përkrahin vendimin që përfshin taksën për 10 për qind për produktet e këtyre dy shteteve.
Kjo Odë dhe Klubi i Prodhuesve kanë nënshkruar marrëveshje për rritje të eksportit dhe fuqizim të zonave ekonomike.