Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë për mënyrën se si Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka keqinterpretuar publikisht Aktgjykimin e Gjykatës Supreme në lëndën P.A.nr.18/2025, duke tentuar të zbehë efektin e tij juridik.
Ky vendim, siç thuhet, është i formës së prerë, i pakontestueshëm dhe i detyrueshëm për zbatim të menjëhershëm.
Gjykata Supreme ka konstatuar qartësisht se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin, pa analizë konkurrence, pa konsultime publike dhe jashtë kompetencave ligjore të rregullatorit. Vendimi shfuqizon dispozitat kyçe të udhëzuesve për liberalizim dhe konstaton pavlefshmërinë e aktit njoftues.
Megjithatë, komunikata e ZRRE-së e datës 18.11.2025 tenton ta relativizojë këtë vendim, duke krijuar pasiguri të re ligjore dhe duke ekspozuar bizneset ndaj rreziqeve ekonomike dhe dëmeve të mëtejshme.
OEK thekson se: Vendimi i Gjykatës Supreme është i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion publik.
Asnjë organ administrativ nuk mund ta interpretojë ose ta zbehë efektin juridik të këtij vendimi.
Çdo veprim i bazuar në aktet e shfuqizuara bie ndesh me rendin juridik të Republikës së Kosovës.
Bizneset janë dëmtuar rëndë nga një proces i liberalizimit që tashmë është konfirmuar si i paligjshëm.
Rritja e çmimit të energjisë, kontratat e imponuara, depozitat e pajustifikuara dhe rënia e konkurrueshmërisë ekonomike janë pasoja direkte të kësaj shkeljeje ligjore.
OEK kërkon që ZRRE, brenda 5 ditësh kalendarikë, të ndërmarrë këto hapa:
Të publikojë një komunikatë të re dhe të korrigjuar mbi vendimin e Gjykatës Supreme.
Të ndalojë çdo interpretim të pasaktë të vendimit.
Të rikthejë bizneset e prekura në Shërbimin Universal.
Të rillogarisë faturat e periudhës së liberalizimit të paligjshëm.
Të zbatojë në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
Në rast se brenda afatit nuk ka veprime konkrete, OEK do të depozitojë kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të ZRRE-së, si përgjegjës për pengimin e zbatimit të një vendimi të formës së prerë të Gjykatës. Llogaridhënia ligjore nuk do të neglizhohet.
Arsyetimi – Pse zbatimi është urgjent
Mospërmbushja e vendimit dëmton seriozisht:
konkurrueshmërinë e bizneseve vendore,
besueshmërinë e investitorëve,
stabilitetin ekonomik,
sigurinë juridike në sektorin energjetik,
imazhin e vendit si destinacion për investime.
Procesi i paligjshëm i deritanishëm ka krijuar kosto të larta operative, ka cenuar planifikimin financiar dhe ka pamundësuar investime të reja, duke rrezikuar mijëra vende pune dhe duke dëmtuar strukturën ekonomike të vendit.
Mesazhi për komunitetin e bizneseve
OEK garanton se:
do të vazhdojë mbrojtjen juridike të bizneseve të prekura,
do të përdorë të gjitha instrumentet ligjore brenda dhe jashtë sistemit administrativ,
nuk do të lejojë që vendimet e formës së prerë të injorohen,
do të punojë në funksion të rikthimit të sigurisë juridike dhe stabilitetit ekonomik në sektorin energjetik.
Përfundim
Shteti ligjor funksionon vetëm kur vendimet e gjykatave zbatohen.
Asnjë institucion nuk mund të qëndrojë mbi ligjin.
OEK mbetet e vendosur në mbrojtjen e të drejtave të bizneseve dhe të rendit juridik të Republikës së Kosovës.










