Në Klinikën e Oftalmologjisë, e cila funksionon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë vitit 2018 janë realizuar gjithsej 2780 operacione të ndryshme, bëhet e ditur në raportin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), të cilin ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri”.
Sipas këtij raporti, gjatë vitit të kaluar ka pasur mjekë, të cilët kanë realizuar 700 operacione, ka pasur edhe kirurgë “dembelë”, të cilët gjatë një viti nuk kanë kryer asnjë operacion. “Specialisti i Oftalmologjisë, Ardian Shabani vetëm gjatë vitit 2018 ka kryer 700 operacione. Për dallim nga ai, dy nga specialistët në Klinikën e Oftalmologjisë, Suzana Buqinca dhe Gazmend Kaçaniku, gjatë vitit 2018 nuk kanë kryer asnjë operacion”.
Kështu tregojnë statistikat në raportin e punës për vitin 2018 për Klinikën e Oftalmologjisë, të cilin e ka siguruar Gazeta “Zëri” .
Në këtë raport statistikat tregojnë se ka edhe specialistë, të cilët nuk kanë kryer as 30 operacione në vit.
Specialistja Sanije Gashi gjatë vitit 2018 ka kryer gjithsej 19 operacione, prej tyre 11 operacione si mjeke kryesore dhe tetë si mjeke asistente, Valbona Perani ka kryer 18 operacione, dy operacione si mjeke kryesore dhe 16 si mjeke asistente, si dhe Mimoza Ismaili ka kryer 28 operacione, shtatë si mjeke kryesore dhe 21 si mjeke asistente.
Ndër mjekët të cilët kanë realizuar më pak operacione janë edhe: Kelmend Spahiu me 62 operacione si mjek kryesor dhe tri operacione si mjek asistent, specialistja Shemsije Zejnullahu me 50 operacione si mjeke kryesore dhe 16 operacione si mjeke asistente, specialisti Gafur Murati me 10 operacione si mjek kryesor dhe 46 operacione si mjek asistent, specialistja Shqipe Hoxha me 39 operacione si mjeke kryesore dhe 16 operacione si mjeke asistente, Gentian Hoxha me 22 operacione si mjek kryesor dhe 37 operacione si mjek asistent, Qendresa Daka me 28 operacione si mjeke kryesore dhe 31 operacione si mjeke asistente dhe Festim Bllata me 14 operacione si mjek kryesor dhe 29 operacione si mjek asistent.
Dembelë edhe në vizitat specialistike
Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe drejtorin e Oftalmologjisë Florim Zejnullahun, i cili ka thënë se mjekët janë të profilizuar në lëmi të ndryshme dhe se dy specialistët në këtë klinikë, Suzana Buqinca dhe Gazmend Kaçaniku, të cilët nuk kanë kryer asnjë operacion, merren më shumë me retinë dhe me llaserime te pacientët me diabet. “Shumica dërrmuese bëjnë intervenime. Ka disa specialistë më aktivë, që kanë bërë mbi 500 operacione. Ne e kemi të ndarë se kush me çfarë dëshiron të merret. Këta dy specialistë merren me retinë, bëjnë llaserime te pacientët me diabet. Këta e kanë marrë atë detyrë, pra edhe këta merren me një pjesë të rëndësishme. Nuk është e obliguar, pra sipas kontratës nuk e kemi të caktuar një normativë për operacione ose për diçka tjetër. Këta kanë treguar më shumë sukses në atë pjesë. Kush dëshiron të merret me operativ e ka derën të hapur, është zgjedhje e tyre”, ka thënë ai.
Mirëpo në raportin që e ka siguruar gazeta, në statistikat për YAG –Laser dhe operacioni i kataraktes me aparatin për fakoemulzifikim nuk kanë kryer shërbime Suzana Buqinca dhe Gazmend Kaçaniku.
Buqinca në raport thuhet se ka kryer 1105 vizita specialistike, ndërsa Gazmend Kaçaniku 847, megjithatë në krahasim me disa mjekë të tjerë, edhe këtu ata janë ndër specialistët me numrin më të vogël të vizitave specialistike. Specialistja Shemsije Zejnullahu prin me numrin më të madh të vizitave specialistike, prej 2019 sosh.
Në Klinikën e Oftalmologjisë gjatë vitit të kaluar janë kryer edhe 2035 shërbime të aplikimeve intravitreale të avastinës (Bevacizumap).
Më shumë se shumicën e këtyre aplikimeve e ka bërë specialisti Mentor Gorani, me 1352 aplikime. Pavarësisht tij, specialisti Adem Miftari ka bërë 45 aplikime, ndërsa specialisti Gazmend Kaçaniku 60.
Specialistët, të cilët kryen mbi 500 operacione gjatë vitit të kaluar
Specialisti i cili prin me numrin më të madh të operacioneve të kryera në vitin 2018 është Ardian Shabani, me 700 operacione të kryera, 602 operacione si mjek kryesor dhe 98 operacione si mjek asistent. I dyti me radhë me numrin më të madh të operacioneve të kryera është specialisti Agim Xhafa, me gjithsej 659 operacione të kryera, 544 operacione si mjek kryesor dhe 115 operacione si mjek asistent. Ndërsa Florim Zejnullahu, i cili njëherësh është edhe drejtor i kësaj klinike, gjatë vitit të kaluar ka kryer 514 operacione, 477 operacione si mjek kryesor, si dhe 37 operacione si mjek asistent./ZËRI