Edhe pse ka gati dy dekada që është larguar nga Kosova, Tiellen Oguta ende e përcjell futbollin e Kosovës dhe ka njohuri për të gjitha skuadrat.
Thotë se i është gëzuar pa masë suksesit të Dritës që fitoi titullin e kampionit edicionin e shkuar në Kosovë. Drita është ekipi me të cilin Oguta ka fituar trofe. Keniasi është futbollisti i parë afrikan që ka luajtur në futbollin e Kosovës dhe i cili ka trofe.
Ai gjatë dy edicioneve sa bëri karrierë në Kosovës (2000/01, 2001/02) ka fituar tre trofe: një titull kampioni dhe dy kupa të Kosovës. Krahas Dritës, Oguta ka bartur edhe fanellën e Besianës, ekip me të cilin fitoi titullin dhe kupën.
“Për mua si futbollist ka qenë një arritje e madhe që gjatë dy vjetëve në Kosovë të fitoj tre trofe”, thotë Oguta. “Natyrisht, që e përcjell Superligën e Kosovës, pasi kam luajtur në të dhe kam kujtime të mira”.
Ai pranon se i është gëzuar shumë suksesit të Dritës në Superligën e Kosovës, ndonëse i vjen shumë keq për Besianën, ekip që tash e shumë vjet është shuar.