Futbollisti i Gjilanit, Oltion Billalli, vazhdon të mbahet nën kujdes të veçantë në repartin intensiv, por lajmet nga stafi mjekësor janë inkurajuese. Sipas burimeve të afërta me klubin, për Radio Star kanë thënë se Billalli ka nisur të japë shenja shumë të mira për rikuperim.
Lojtari ka filluar komunikimin dhe ka lëvizshmëri, gjë që shihet si një hap i madh drejt përmirësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Ai po mbahet ende në repartin intensiv për mbikëqyrje të vazhdueshme, por progresi i tij ka rritur shpresat për një rikthim sa më të shpejtë.
Klubi i Gjilanit, bashkë me tifozët dhe komunitetin sportiv, shpresojnë për një rikuperim të plotë të Billallit dhe e presin me padurim rikthimin e tij në fushë.