Klubi i futbollit SC Gjilani ka reaguar pas incidentit shqetësues në ndeshjen kundër Malishevës, ku sulmuesi Oltion Bilalli pësoi një lëndim të rëndë pas një përplasjeje me portierin kundërshtar.
Drejtori sportiv i klubit, Syart Rrahmani, ka konfirmuar se Bilalli ka pësuar gjakderdhje të brendshme në kokë, një lëndim që kërkoi ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
“Oltioni ka gjakderdhje të brendshme në kokë, por është jashtë rrezikut për jetën. Ai do të vëzhgohet më tej nga mjekët dhe është dërguar në QKUK. Ne jemi në Prishtinë qenë pranë tij”, deklaroi Rrahmani për Radio Star.
Pas ofrimit të ndihmës së parë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, lojtari është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku po trajtohet nga specialistët.
Bilalli u lëndua në minutat e fundit të takimit pas një kontakti të ashpër me portierin e Malishevës, Ilir Avdyli.
Ndeshja u ndërpre për disa minuta, por vazhdoi dhe u mbyll 0-0.