Gjilan, 15 qershor 2025 – Me rastin e Ditës së Çlirimit të Gjilanit, Kuvendi Komunal ka nderuar me mirënjohje onkologun e njohur, Dr. Arben Bislimi, për kontributin e tij të çmuar në fushën e shëndetësisë dhe përkushtimin qytetar ndër vite.
Dr. Bislimi ka shprehur falënderimet e tij publike për këtë vlerësim, duke e ndarë nderin me familjen dhe veçanërisht me babain e ndjerë, të cilit ia ka kushtuar këtë çmim.
“Faleminderit Kuvendit Komunal të Gjilanit që më nderoi me mirënjohje me rastin e Ditës së Çlirimit të qytetit! Këtë nder ia dedikoj babait tim të ndjerë, për kontributin dhe përkushtimin qytetar që ofroi gjatë tërë jetës,” u shpreh Dr. Bislimi.
Ky vlerësim vjen si shenjë respekti për punën dhe angazhimin e pandalshëm të Dr. Bislimit, jo vetëm si profesionist i shëndetit, por edhe si qytetar aktiv në komunitet.
Kuvendi Komunal i Gjilanit ka vlerësuar disa personalitete të fushave të ndryshme me mirënjohje në këtë ditë të rëndësishme historike, duke rikujtuar dhe nderuar kontributin e tyre në zhvillimin e qytetit./Radio Star/