PDK, Aleanca dhe organizata studentore e UP-së, kanë mbajtur konferencë për media para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Njëri nga studentët kërkoi llogari nga partia në pushtet se pse vendi është në peng, duke pyetur se edhe sa duhet të presin që shteti të funksionojë, transmeton Klankosova.tv.
“Ky është një mesazh shumë i keq për një gjeneratë të tërë. Neve na thoni çdo ditë, mësoni, dhe ndërtoni të ardhmen këtu, por si ta ndërtojmë të ardhmen këtu, kur ata që duhet ta ndërtojnë të tashmen nuk po funksionojnë. Ne nuk duam privilegje, duam të ardhme për të rinjtë”, u shpreh ky student.
Nga ana tjetër, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi theksoi se, sipas saj, abuzimi me vendin po vazhdon.
“Ajo që është më e rëndësishme është se ne jemi betuar si deputetë për ta mbrojtur Kushtetutën dhe gjithmonë do të jemi në mbrojtje të Kushtetutës, andaj nuk do të ndalemi derisa institucionet të formohen”, u shpreh deputetja.
Ajo ftoi edhe një herë kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin që të vijë në Kuvend dhe të krijohen institucionet.
Fjalën e mori edhe deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili tha sa Kurti ka uzurpuar Zyrën e Kryeministrit, derisa sipas tij, i njëjti ka bllokuar formimin e organit kryesor të Kosovës, Kuvendin.
“Kosova është në krizë. Bllokimi i Kuvendit nuk është çështje formale, është simptoma e një sistemi anarkik. Mbi të gjitha nuk ka respekt për votuesin e tij, duhesh të ndihesh krenar kur populli t’i jep 53 deputetë, dhe duhesh të jesh i përulur. Ky është një absurd që ne nuk mund ta lejojmë”, tha Gruda.

