Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e të mërkurës, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal, raportin financiar janar-dhjetor 2018, propozim-vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pashpenzuara të vitit fiskal 2017 dhe 2018, në vitin fiskal 2019, raportin financiar të manifestimit “Flaka e Janarit” 2019, draft-rregulloren për themelimin dhe strukturimin e asamblesë komunale të fëmijëve, propozim-vendimin për emërimin e Komisionit komunal të aksionareve në “Ecohigjiena”, propozim-vendimin për emërimin e Komisionit për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, propozim-vendimin për emërimin e Komisionit të përhershëm për përcaktimin e lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve si dhe rekomandimin për planin komunal të veprimit për efiçiencë të energjisë.
Ndërkaq janë hequr nga rendi i ditës çështja e emërimit të nënkryetarit të Komunës, përkatësisht zgjedhjes së zëvendëskryesuesit të Kuvendit për komunitete, meqë opozita (LVV, PDK, Nisma) nuk i dhanë përkrahje këtij propozimi, me arsyetim se nuk përmbushën kushtet ligjore për këto dy pozita.
Nevzad Isufi (LVV), i cili është përkrahur edhe nga Riza Abdyli (PDK) e Mimoza Kadriu (Nisma), ka thënë se asnjëri komunitet në Gjilan nuk përbën të paktën 10 për qind të popullsisë që të kenë të drejtë në këto dy pozita.
Avdyl Aliu (LDK) është pajtuar për shtyrjen e këtyre dy pikave për një mbledhje tjetër, por jo edhe për heqjen e tërësishme të tyre nga rendi i ditës, duke thënë se këto dy pozita janë të ligjshme dhe të nevojshme.
Pikat tjera u miratuan pa vërejtje, përveç raportit financiar të manifestimit “Flaka e Janarit”, ku përfaqësuesi i LVV, Nevzad Isufi kërkoi që shpenzimet të specifikohen.
KPF u dakordua që numri i anëtarëve në komisionin komunal për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve si dhe komisionin për përcaktimin e lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, nga pesë, sa ishte propozimi fillestar, të rritet në shtatë, për t`iu dhënë mundësi përfaqësimi të gjitha subjekteve politike si dhe shoqërisë civile.
Riza Abbyli (PDK) kërkoi që në këto komisione t`i sigurohet një vend edhe për këshilltarët e pavarur në Kuvendin Komunal, derisa Ibish Ibishi tha se ligji nuk parasheh që shoqëria civile të jetë e përfaqësuar në secilin komisionin apo këshill komunal.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se përfaqësimi i shoqërisë civile në këto komisione është një praktikë e mirë në Gjilan dhe duhet të vazhdohet edhe në të ardhmen, duke nënvizuar faktin se shoqëria civile përfaqëson një zë qytetar ndryshe në vendimmarrjen komunale.
Sa i përket planit komunal të veprimit për efiçiencë të energjisë, që po ashtu u rekomandua për Kuvend Komunal, sqarimet e nevojshme i ka dhënë drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Valbona Tahiri.
Opozita në Gjilan nuk përkrah propozimet për nënkryetar dhe zëvendëskryesues për komunitete
Ndani këtë artikull