Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Airo Orav ka thënë se shpreson që nuk do të ketë vonesa në krijimin e qeverisë së re në Kosovë, pas certifikimt të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Madje, ai thotë se Qeveria që do të formohet duhet të jetë një partnere e mirë dhe stabile.
“Për ne e rëndësishme është që kjo qeveri të jetë stabile, të jetë partnere e mirë për ne, ashtu që të përmbushë premtimet, si dhe që të kryejë punë, sepse është e vetmja mënyrë në të cilën mund të ecet përpara drejt Bashkimit Evropian”, tha shefi i Zyrës së BE-së, për RTK-në.
Ndërsa, kur flet për mbylljen e institucioneve paralele që punojnë nën sistemin e Republikës së Serbisë dhe nëse kjo çështje mund të diskutohet në dialog, shefi i zyrës së BE-së, Airo Orav tha se institucionet e udhëhequra nga Serbia në Kosovë janë qartësisht çështje për dialog.
“Këtë e kemi theksuar shumë e shumë herë, në bisedat tona me politikanët e këtushëm, por po ashtu disa herë e kemi thënë edhe publikisht. E dimë sigurisht që sa kjo çështje ndikon njerëzit në zonën në fjalë. Ndërkohë, ka shumë marrëveshje, shumë kërkesa, për të cilat të dy qeveritë janë pajtuar, pra të dyja palët duhet të realizojnë ato që i kanë dakorduar. Këtu, për sa i përket palës serbe, do të doja të theksoj që Serbia ka premtuar të mos pengojë Kosovën në hyrjen e saj në organizata ndërkombëtare, e këtu më së pari flas për Këshillin e Evropës”, tha Orav.