Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka pritur në takim Luan Bajrami bashkë me anëtarë të shoqatës hoteliero-turisitike “Pro In”.
Përfaqësues të shoqatës pas takimit thanë se janë të gatshëm që të fillojnë punën sipas rregullave të institucioneve shëndetësore.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë se vendimi i marrë nga Ministria e Shëndetësisë për anulimin e dasmave do të ndikojë negativisht te sektori i hotelerive dhe përfaqësuesit e restoranteve.
“Sot kam takuar individualisht dhe në grupe shoqatave të ndryshme të cilat prekin një ombrellë të bizneseve të rëndësishme që lidhen me turizmin, nga hoteleria shërbimi i ushqimit, dhe veprimtaritë tjera të ndërlidhura”.
“Është edhe një temë që është e ngritë nga MSh-ja që ka krijuar një pasiguri tek bizneset dhe qytetarët sidomos edhe tek pjesa e diasporës, e cila është e rëndësishme për qëndrueshmërinë e bizneseve. Nuk ka vendim për bllok për me ndal asnjë veprimtari, mbetet në varësitë e situatës me pandeminë, pir edhe në kushtet për me filluar puna do të ketë vështirësi. I bëjmë thirrje qeverisë të jetë në dialog përmbahet me bizneset për zgjidhje funksionale dhe për situatën financiare dhe obligimet që i kanë”, tha Rukiqi.
Varis Xhejlani, nga kjo shoqatë ka kërkuar që të rishikohen vendimet e marra nga institucionet dhe që ministri i Shëndetësisë të dalë të sqarojë këtë çështje.
“Nuk duhet të mendohet që ne apo kolegët tanë po i injorojnë çështjet e shëndetit por është që të diskutohet çështja e dasmave. Kërkesa jonë është që këto vendime të rishikohen. Kërkojmë nga ministri të del me një sqarim dhe deklaratë tjetër”, tha ai.
Armendi Berisha, tha se nëse nuk punon sektori i tyre, do të jetë vit i vështirë për Kosovën.
“Sektori ynë pas deklaratës së ministrit ishim të shqetësuar, jemi të shqetësuar pasi dasmat janë të lidhura me mërgatën nëse nuk punon sektori ynë do të jetë një vit i vështirë për Kosovën. Është një zinxhirë që lidhet me dasma ne kërkojmë të shqyrtohet se si mund të bëhet”, tha ai.
Xhevdet Hyseni, nga shoqata hoteliero-turisitike “Pro In”, tha se janë duke e hartuar një plan sesi do të jenë organizimet e dasmave në të ardhmen.
“Ne si shoqatë jemi duke hartuar një plan se si do të jenë organizimet në të ardhmet, do të bëhet një protokoll i organizimeve që do ta bëjmë me institucionet shëndetësore. Dje kemi pas një takim ku është thënë se e gjitha do të varet nga situata epidemiologjike”, u shpreh ai.
Kurse Armend Berisha tha se një kërkesë me nënshkrimet e 20 bizneseve do ta dorëzojnë në MSh.