Trajneri i FC Prishtinës, Orges Shehi, është deklaruar pas humbjes 0-3 ndaj Dritës, duke pranuar se skuadra e tij nuk e kishte menduar një rezultat të tillë, ndërsa ka theksuar edhe ndikimin e mungesave të Zeqirit dhe Diarit.
Shehi u shpreh se synimi i skuadrës së tij është të fitojë në çdo ndeshje, por pranoi se mungesat e dy futbollistëve përbënin një hendikep të rëndësishëm.
“Sigurisht, në futboll janë tri rezultate, por ne nuk e kemi menduar humbjen. Ne duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Mungesat e Zeqirit dhe Diarit ishin të mëdha për skuadrën”, deklaroi Shehi.
Tri ndeshje pa fitore në Hajvali
I pyetur për serinë prej tri ndeshjesh pa fitore në Hajvali, trajneri i Prishtinës theksoi se skuadra e tij ka luajtur shumë pak në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke e konsideruar këtë një rrethanë që duhet marrë parasysh.
“Nuk e mbaj mend kur kemi luajtur në ‘Fadil Vokrri’. Dy ndeshje i kemi luajtur në shtëpi, ndërsa në të tjerat kemi qenë thuajse mysafirë”, u shpreh Shehi.
Ndërkohë, Drita mori një fitore bindëse 0-3 ndaj Prishtinës, duke dëshmuar forcën e saj në këtë përballje.










