Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, i cili vdiq dje në moshën 81-vjeçare, raporton Sinjali.
Në një komunikatë, Misioni i OSBE-së i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të të ndjerit.
“@OSCEKosovo vlerëson bashkëpunimin e ndërtuar përmes përpjekjeve tona të përbashkëta në #NdërtiminEInstitucioneve.”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, sot Dacit i është dhënë lamtumira e fundit me nderime shtetërore në varrezat e kryeqytetit në Arbëri.
Në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë, përfaqësues të lartë të institucioneve, miq dhe qytetarë të shumtë.
Figura dhe veprimtaria e Dacit u nderuan përmes homazheve dhe akademisë përkujtimore, ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti, kryetari i Kuvendit në detyrë Dimal Basha, kreu i PDK-së Bedri Hamza, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, si dhe personalitete të tjera politike dhe akademike.

