Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova nuk është e gatshme për një marrëveshje të rrezikshme që e bënë Hashim Thaçi me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, transmeton Reporteri.net.
Ajo e ka akuzuar presidentin Thaçi se negocion në mënyrë sekrete me Serbinë. Sipas saj Thaçi duhet tu garantojë fillimisht qytetarëve se ka hequr dorë nga ideja për korrigjimin e kufijve.
“Kosova gjithnjë ka qenë e gatshme për dialog por, jo për një dialog të tipit të Thaçit, i cili në vetvete involvon negociata sekrete me presidentin e Serbisë dhe i cili ka rezultuar me hapjen e temave dhe avantuarve që janë jashtëzakonisht të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në vend dhe rajon. Në vend se të dal dhe të tentojë të marrë kompetenca të Qeverisë presidenti do të duhej të deklarohej një herë e mirë për një çështje substanciale e ajo është që a i garanton të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që kurrë më nuk do të vë në tavolinë asnjë milimetër të territorit të Republikës së Kosovës dhe a ka hequr dorë nga ideja e tij dhe e Vuciqit për korrigjim të kufijve, sepse herën e fundit që kemi kontrolluar në faqen e tij akoma gjendet opinioni i tij me emër dhe mbiemër ku ai thekson po citoj ‘Presidentët dhe kryeministrat do të ndryshojnë por korrigjimi i kufijve do të ndodhë’” tha ajo.
Ajo tha se Kosova nuk është e gatshme të bisedojë në dialog të attillë çfarë e bën presidenti Thaçi.
“Po supozoj meqë nuk e kanë zëvendësuar me një tjetër ai qëndron pranë ideve të tilla, e për ide të tilla që jo vetëm e ndajnë Kosovën dhe gjymtojnë atë territorialisht janë në esencë kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës për një shtet të pavarur dhe sovran jo Kosova nuk është e gatshme”, deklaroi Osmani..