Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar publikisht lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë, ku një gazetar dyshohet se ka tentuar të xhirojë vajzën e saj në një ambient publik. Në një konferencë për media, Osmani e quajti këtë ngjarje shqetësuese dhe theksoi se rasti po hetohet nga institucionet përkatëse.
Megjithatë, presidentja zbuloi se përtej këtij incidenti specifik, institucionet e sigurisë janë duke zhvilluar hetime të gjera që përfshijnë bashkëpunëtorë të ish-udhëheqësit paramilitar serb, Milan Radoiçiq, duke aluduar se mes tyre mund të ketë edhe gazetarë.
“E para, nuk janë hetuar gazetarët. Është hetuar tjetër kush, janë hetuar Radoiçiqiat. Kur hetohen Radoiçiqiat, dalin bashkëpunëtorët e tyre,” u shpreh Osmani para mediave.
Sipas saj, hetimet kanë zbuluar prova serioze që tregojnë rrezikim të sigurisë së shtetit dhe përfshirje në plane për destabilizim.
“Natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, morale, ligjore që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Kosovën, përfshirë plane për grushtshtet, rrezikime të ndryshme që i bëhen Kosovës,” shtoi ajo.
Osmani konfirmoi se hetimet janë ende në zhvillim dhe se organet përkatëse tashmë kanë identifikuar individët e dyshuar.
“Pastaj kanë dalë shumë prova. Institucionet e sigurisë po vazhdojnë hetimet. E dinë ata kush janë, e kanë mizën mas veshi,” përfundoi ajo.
Presidentja nuk dha më shumë detaje për identitetin e personave të përfshirë apo për natyrën e provave që janë zbuluar, por theksoi se shteti nuk do të lejojë asnjë përpjekje për destabilizim të brendshëm apo kërcënim ndaj institucioneve demokratike.