U.d e presidentes, Vjosa Osmani dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz. Këtu u tha se drejtësia për familjen e Jasharëve është vonuar dhe se institucionet duhet të angazhohen në këtë drejtim.
Osmani tha pas homazheve se populli i Kosovës e ka për borxh që kujtesën historike dhe ndjenjën e mirënjohjes ndaj familjes Jashari ta bartë brez pas brezi.
“Jemi këtu në Prekaz në vendin që bëri bashkë një Komb të tërë rreth kauzës për çlirim, në vendin që është shndërruar në ikonë të lirisë, dhe në simbol të sakrificës më sublime të komandantit legjendar Adem Jashari, të bacës Shaban dhe sakrificës më sublime të gjithë familjes Jashari, një sakrificë sublime që rezultoi me lirinë dhe shtetin e Kosovës. E kemi borxh që kujtesën historike e mbi të gjitha ndjenjën e mirënjohjes së thellë ta bartim brez pas brezi në mënyrë që edhe fëmijët tanë por dhe fëmijët e fëmijëve tanë ta kujtojnë se sa i lartë ishte çmimi që pagoi populli shqiptar në mënyrë që sot ta kemi shtetin tonë”, tha Osmani.
Ndërsa, Kurti tha se institucionet do të angazhohen për t’i përballur me drejtësinë personat përgjegjës për këto krime.
“Për këtë sulm të Serbisë ndaj familjes Jashari askush nuk është gjykuar dhe s’ka pasur gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë. Drejtësia është vonuar sepse s’ka filluar. Ata u flijuan për hir të pasardhësve të popullit dhe kombit në përgjithësi”, ka deklaruar Kurti./e.o