Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë paraqitjes para gazetarëve para hyrjes në Samitin BE-Ballkan Perëndimor ka kërkuar nga shtetet anëtare që t’ia heqin Kosovës urgjentisht masat, meqë sipas presidentes Osmani, Prishtina zyrtare ka përmbushur kërkesat e BE-së për de-eskalim.
Ky qëndrim i presidentes Vjosa Osmani ka ardhur një ditë pas publikimit të konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian, ku flitet në mënyrë specifike për çështjen e masave ndaj Kosovës dhe potencohet se BE-ja është e gatshme që t’i heq ato në momentin që Kosova do të bëjë progres në përmbushjen e kërkesave për de-eskalim të plotë, kërkesa këto të paraqitura më 3 qershor nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell.
“Erdha këtu me një numër mesazhesh, duke përfaqësuar kosovarët, fillimisht për të bërë thirrje tek liderët e BE-së që menjëherë t’i heqin masat joproporcionale dhe jo të drejta, sepse Kosova ka marrë të gjitha masat për de-eskalim të situatës dhe besoj se BE-ja duhet t’i heq ato masa sepse po dëmtojnë qytetarët e Kosovës, sepse po flasim për projekte për ujin e pijes, menagjimin e mbeturinave, dhe projekte që ndikojnë direkt në jetën e tyre”, ka thënë presidentja Osmani më 13 dhjetor.
Lidhur me deklaratën e presidentes Vjosa Osmani për “marrjen e gjitha masave për de-eskalim”, zëdhënësja e BE-së, Zoi Muletier, për Gazetën Express ka thënë se s’komentojnë për komentet e bëra dhe ka theksuar se në konluzat e miratuara në Këshill dhe në deklaratën e Samitit BE-Ballkan, Brukseli e ka bërë të qartë se çfarë BE pret nga Kosova.
“Si zakonisht, ne nuk komentojmë komente dhe do t’ju referojmë në konkluzionet e miratuara nga Këshilli të martën dhe në deklaratën e samitit BE-Ballkan që e bën shumë të qartë se çfarë pret BE-ja nga Kosova”, ka thënë Muletier.
Në Konkluzat e Këshillit të BE-së të publikuara më 12 dhjetor thuhet se Unioni Evropian është i gatshëm t’i heq masat në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave ekzistuese të BE-së. Gjithashtu kanë thënë se do t’i rikthehen kësaj çështje në bazë të një Raporti të Josep Borell.
“Këshilli rikujton se në përputhje me deklaratën e 3 qershorit të Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së, BE-ja po zbaton masa të kthyeshme ndaj Kosovës për shkak të mungesës së veprimeve vendimtare për të de-përshkallëzuar tensionet në veri të Kosovës. Këshilli mirëpret që Kosova ka ndërmarrë hapa drejt përmbushjes së disa prej kërkesave të BE-së. Këshilli rikujton se BE-ja është e gatshme të heqë masat në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave ekzistuese të BE-së. Këshilli do të mbetet i kapur për këtë çështje dhe do t’i rikthehet në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e këtyre kërkesave”, thuhet në dokumentin zyrtar të publikuar në faqen e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Se de-eskalimi ka ndodhur është qëndrim zyrtar edhe i Qeverisë së Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste ka thënë se Kosova ka plotësuar kushtet për de-eskalim dhe ka kërkuar nga BE-ja që t’i heq masat ndaj Kosovës.
Kërkesën për heqje masash e ka përmendur edhe në një takim të socialdemokratëve të Evropës, ku ishte i pranishëm edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell.
“Tutje, Kryeministri Kurti rikujtoi masat e padrejta që i janë vënë Republikës së Kosovës dhe bëri thirrje për heqjen e këtyre gjersa theksoi se shteti autoritar fqinj është ai që bart fajin për eskalimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës”, thuhet në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje për pjesëmarrjen e Kurtit në takimin e Partisë së Socialistëve Evropianë.
Josep Borell më 3 qershor 2023 kishte treguar kërkesat e BE-së për de-eskalim të situatës në Veri të Republikës së Kosovës. Borell kishte kërkuar që të pezullohen operacionet policore në afërsi të objekteve komunale, që kryetarët e komunave t’i kryejnë detyrat e tyre përkohësisht nga ndërtesa të tjera dhe të shpallen sa më shpejt zgjedhjet në katër komunat veriore.
“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë de-përshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thuhej në qëndrimin e 3 qershorit.
Kosova ka bërë përparim në zvogëlimin e prezencës policore në objetket komunale, megjithatë ende s’ka lëvizje konkrete për çështjen e zgjedhjeve të përakohshme, ndonëse korniza ligjore për organizimin e peticionit për shkakrimin e kryetarëve është hartuar nga MAPL.