Përgjegjësitë e përcaktuara nga Kushtetuesja lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, do t’i marrin përsipër kandidatët nga LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, në rast se i fitojnë zgjedhjet e 6 tetorit.
Në debatin “Fol Hapur”, kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se ka përgatitjen e duhur për ta udhëhequr këtë proces, raporton KTV.
Nga dialogu me Serbinë, Osmani ka përjashtuar presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se ai do të ketë vetëm rol ceremonial.
I gatshëm për t’i prirë dialogut është edhe kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kurti është i bindur se presidenti Hashim Thaçi, do të tërhiqet nga posti i tij.
Kurti u është përgjigjur pyetjeve edhe lidhur me njohjen e Kosovës si shtet, si dhe për mbajtjen apo jo të flamurit të Kosovës në zyrë.
Kurse, Osmani ka bërë të ditur edhe planin për mbledhjen e parë të Qeverisë, nën kryesimin e saj.
Përfaqësuesit e partive politike do të kenë kohë 10 ditë, nga 25 shtatori, për të prezantuar zyrtarisht programet e tyre në fushatë zgjedhore.