Presidentja Vjosa Osmani sot priti në takim emisarin special të BE-së Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretarin e SHBA-së, njëherësh përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilët ka diskutuar mbi procesin e dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.
Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit.
Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.
“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jo konstruktive”, tha Osmani.
Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, presidentja Osmani gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut.
Osmani tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, ajo tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e BE-së si ndërmjetësues i dialogut.
Presidentja Osmani po ashtu theksoi edhe një herë rëndësinë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur si prioritet i procesit të dialogut.