Në ceremoninë e marshimit të FSK-së dhe Policisë së Kosovës për 17 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka folur për luftën për liri e shtet ndërtim.
Ajo tha se liria jonë është e shenjtë dhe mbrojtja e saj është detyrë e përhershme.
Osmani tha se këtë detyrë po e kryen Policia e Kosovës, me guxim të gatshëm ta sakrifikojnë edhe jetën. Ajo tha se Kosova nuk është vetëm një copë toke.
“Kushdo që guxon ta vërë në dyshim këtë realitet le ta dëgjojë zërin e popullit të saj”, tha Osmani.
Osmani foli për sakrificën ndër breza.
“Në këtë 17 vjetor të shtetit tonë ne jemi këtu sepse qëndruam e rezistuam, sepse luftuam e nuk u përkulëm kurrë para dhunës, padrejtësise e mizorive. Ne jemi këtu sot se ia dolëm të ringritemi, ta ndërtojmë dhe ta forcojmë shtetin tonë. E falë ushtrisë dhe Policisë që sot parakalojnë para qytetarëve të Kosovës arritëm ta mbrojmë cdo pëllëmbë të shtetit tonë. Në këtë 17 vjetor të Pavarësisë së Republikës qëndrojmë krenarë para flamurit tonë të dashur, nën qiellin e lirë të atdheut tonë për ta nderuar rrugëtimin e lavdishëm të kombit tonë drejt lirisë, sovranitetit dhe shtetësisë së plotë. “, tha ajo.
Osmani përmendi edhe ndihmën e miqve të Kosovës.
“Historia jonë nuk do të ishte e njëjtë pa mbështetjen e aleatëve tanë. Falënderimi ynë shkon për SHBA-në, NATO-n, shtetet evropiane dhe për të gjithë miqtë që qëndruan me ne. Ne nuk harrojmë kurrë ndihmën e tyre sepse Kosova ka miq, dhe miqtë e Kosovës janë miqtë e lirisë”, tha Osmani.
Ajo tha se Republika e Ksoovës nuk ndalet kurrë, e ecën përpara me vendosmëri e krenari./Reporteri.net/