Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen e saj për mikpritjen dhe mbështetjen e ofruar nga autoritetet turke gjatë pjesëmarrjes së saj në Forumin Diplomatik të Antalya-s, një ngjarje me rëndësi për diplomacinë ndërkombëtare.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani falënderoi në veçanti Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, Zonjën e Parë Emine Erdogan dhe institucionet e tjera të shtetit turk, duke e cilësuar forumin si një platformë që i ka mundësuar Kosovës të thellojë raportet me aleatët dhe të ndërtojë partneritete të reja.
“Njoha nga Sudani dhe diskutimet konkrete me përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe takime me shumë partnerë të tjerë, dëshmojnë përkushtimin tonë për ndërtimin e miqësive të reja dhe forcimin e aleancave ekzistuese”, shkroi Osmani.
Presidentja theksoi se pozita ndërkombëtare e Kosovës po forcohet përditë, si rezultat i punës së pandalshme dhe mbështetjes së miqve ndërkombëtarë që kanë qëndruar pranë Kosovës në momentet vendimtare.