Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas homazheve në Prekaz ka thënë se sakrifica e familjes Jashari është dritë udhërrëfyese për forcimin e Kosovës.
Osman ka thënë se nga Prekazi fëmijët inspirohen për rrugën përpara për mbrojtjen e lirisë.
“Ata luftuan shumë më gjatë sesa vetëm përgjatë viteve të luftës, duke u shndërruar kështu në emblemë të UÇK-së si dhe duke i shndërruar kullat e Jasharëve në simbol të kalasë së lirisë, që edhe sot e mbron Kosovën, sovranitetin dhe pavarësinë. Nga këtu jo vetëm ne si breza që e përjetuam luftën, por edhe brezat e rinj, fëmijët tanë inspirohen për rrugën përpara për mbrojtjen e lirisë së arritur me sakrificë e gjak. Mbi të gjitha na përkujtohet të gjithëve se sa i lartë ka qenë çmimi për lirinë tonë”, tha Osmani.
Ajo ka përmendur se përveç figurës së Adem Jasharit, nuk duhet harruar fakti që dhjetëra gra e vajza janë flijuar nga po kjo familje, duke e bërë edhe më të shenjtë sakrificën e tyre.