Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpreson se mosmarrëveshjet aktuale të Kosovës me BE dhe ShBA-në do të tejkalohen.
Në një takim me korrespondentë politikë, gjatë qëndrimit të saj në Berlin, Osmani tha se është koha të ulemi për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.
“Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim”, tha ajo raporton DW.
Osmani tha se tani kanë mbetur të sqarohen disa detaje në lidhje me riorganizimin e zgjedhjeve në veri dhe tërheqjen e forcave policore nga komunat në fjalë, dy kërkesa këto aktuale të vendeve të QUINT-it ndaj Kosovës.
“Zgjedhjet e reja duhet të bëhen pa ndërhyrje nga Serbia”, potencoi presidentja.
Për sa i përket zgjedhjeve të reja në katër komunat serbe në veri të Kosovës, Osmani tha se kusht për mbajtjen e tyre është që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve.
“Ne kemi kërkuar mbështetjen e partnerëve tanë për t’u siguruar që Serbia të mos ndërhyjë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e një vendi tjetër, siç bëri herën e kaluar, dhe që të mos u bëjë presion serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë. Por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje”, vijoi Osmani.
Presidentja ka paraqitur sërish kritika ndaj aleatëve që nuk kanë reaguar ndaj shkeljeve të bëra nga Serbia.
“Ka pasur shkelje të vazhdueshme në këto dy muajt e fundit, që nga 18 marsi, kur u bë marrëveshja, por asnjëherë deri më tani nuk kemi dëgjuar një lloj deklarate nga Bashkimi Evropian duke thënë, po, kjo është një shkelje e marrëveshjeve. Mendoj se kjo po e inkurajon Serbinë që të mos kujdeset për procesin dhe po dëmton besueshmërinë e procesit të dialogut”, ka thënë presidentja e vendit.
Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një nga kërkesat kyçe të partnerëve ndërkombëtarë në dialog, Osmani ka thënë se “jemi të gatshëm të bëjmë më shumë për serbët që jetojnë në vendin tonë, që ata të ndihen të barabartë, të ndihen të dëgjuar, të ndihen të përfshirë. Kosova është shtëpia e tyre. Por në të njëjtën kohë, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm për të shmangur çdo lloj modeli që do të ngjante me Republikën Srpska. Edhe një kushëri i largët i Republika Srpska është shumë i rrezikshëm për rajonin tonë”, tha Osmani.