Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e pritjes së komisionarit të Bashkim Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyin.
Gjatë fjalimit të saj Osmani ka thënë se Kosova duhet të marrë liberalizimin e vizave, pasi siç tha ajo tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret.
Institucionet e Kosovës i kanë plotësuar të gjitha kriteret për heqjen e vizave dhe mosliberalizimi i vizave s’i bën nder as BE-së. Maratona duhet të ketë një epilog. Kosovës duhet liberalizuar vizat tani”, tha Osmani në Kuvend.
Osmani përmendi edhe dialogun, proces ky që sipas saj s’duhet të përfshijë ndryshim kufijsh.
“Ju sot jeni në vendin ku gjenden rrënjët e hershme të qytetërimit evropian. Jemi të përkushtuar për të rilidhur këtë fije të zbehur. Vizita juaj vjen në një kohë kur diskursi për integrimin evropian është rikthyer në vendin tonë. Për Kosovën roli i BE-së është i patjetërsueshëm. Edhe në procesin e dialogut roli i BE-së është i veçantë në bashkërendim me SHBA-në. Ky Kuvend e ka bërë të qartë se në këtë proces nuk lejohet ndryshim kufijsh dhe ide të tjera që mund të krijojnë një Republikë Serbe në vendin tonë”, tha ajo.