Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bota është më e sigurt dhe e fuqishme, duke theksuar se Kosova qëndron fuqishëm përkrah aleatit të saj kryesor në avancimin e paqes edhe në rajonin tonë.
Deklarata e Osmanit ka ardhur pas arritjes së marrëveshjes së paqes në mes të Azerbajxhanit dhe Armenisë, të cilën ajo e ka cilësuar si një dëshmi të fuqisë së udhëheqjes amerikane.
“Marrëveshja historike mes Azerbajxhanit dhe Armenisë është testament se çfarë mund të arrijë lidershipi i fuqishëm amerikan. E përgëzojmë presidentin amerikan, Donald Trump, dhe administratën e tij që bënë historinë edhe një herë, si dhe presidentin e Azerbajxhanit dhe Armenisë. Nën udhëheqjen e SHBA-së, bota është më e sigurt, më e fuqishme dhe më e begatë. Kosova është krenare që qëndron krah për krah me SHBA-në në avancimin e paqes në rajonin tonë dhe botë”, ka shkruar Osmani në X.
Marrëveshja e paqes në mes të Azerbajxhanit dhe Armenisë që i jep fund konfliktit prej gati katër dekadash mes tyre u nënshkrua të premten në Shtëpinë e Bardhë.