Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur vendimin e Kuvendit të Kosovës me rastin e miratimit të rezolutës në mbështetje të Ukrainës.
Osmani përmes një shënimi në Facebook, thotë se Kosova u rreshtua në anën e drejtë të historisë.
“Sot, Kuvendi i Kosovës foli me një zë. U dëshmua se përballë hegjemonive që cenojnë liritë më fundamentale njerëzore e që shkelin të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, sovran e në përputhje me vlerat demokratike, ne gjithmonë qëndrojmë të bashkuar dhe në anën e drejtë të historisë”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka falënderuar deputetët që dënuar agresionin rus dhe iu hapën dyert refugjatëve nga Ukraina.
“Falënderoj të gjithë deputetët të cilët e fuqizuan edhe më tej qëndrimin tashmë të shprehur nga Kosova lidhur me dënimin e agresionit rus në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë dhe hapjen e dyerve për refugjatët nga Ukraina”.
“Kosova qëndron me Ukrainën, sepse Kosova qëndron në anën e lirisë”, ka shkruar tutje Osmani.
Kuvendi i Kosovës me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka votuar rezolutën e cila e dënon agresionin ushtarak dhe invazionin e federatës ruse mbi Ukrainën dhe popullin e saj