Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbështetur hapjen e re të urës mbi lumin Ibër dhe ndërtimin në sipër të një ure tjetër.
Ajo ka thënë se urat kanë rol pozitiv në integrimin dhe bashkimin e qytetarëve.
Osmani kështu është shprehur në një takim që ka zhvilluar me të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin René Troccaz.
“Në lidhje me hapjen e urës së re mbi lumin Ibër si dhe vazhdimin e ndërtimit të një ure shtesë, Presidentja Osmani theksoi se mirëpret ndërtimin e tyre, duke vënë në pah rolin pozitiv që urat luajnë në integrimin, bashkimin dhe afrimin e qytetarëve, përmes lehtësimit të lëvizjes, bashkëpunimit dhe transportit. Ajo rikujtoi më tej se mbyllja e urës kryesore në Mitrovicë në vitin 1999 nuk ishte bërë për çështje sigurie por për shkak të vendimeve jashtëzakonisht të dëmshme politike dhe se është për keqardhje që edhe 26 vite pas mbylljes e tashmë 10 vite pas marrëveshjes së Brukselit për hapjen e urës, ende ajo mbetet e mbyllur”, ka thënë Osmani thuhet në komunikatën e Presidencës.
“Është veprimtaria kriminale dhe destabilizuese e Radojçiqit dhe grupeve kriminale në veri që pengonte normalitetin dhe lëvizjen e lirë, duke krijuar atmosferë frike dhe tensioni , e jo urat”, theksoi ajo.
Në këtë takim Osmani siç thuhet në komunikatë përsëriti orientimin strategjik të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin e palëkundur për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke theksuar se reformat, sundimi i ligjit dhe përputhja me standardet evropiane mbeten prioritetet kryesore.
“Presidentja theksoi se Kosova është e përkushtuar ndaj stabilitetit politik dhe funksionimit të plotë demokratik të institucioneve, duke përmendur zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe të shumicës së nënkryetarëve si hapa kyç në këtë drejtim”, tha Osmani.
Sa i përket masave kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Presidentja Osmani tha se përveçse këto masa janë të padrejta, sepse godasin pa arsye qytetarët e Kosovës dhe mirëqenien e tyre, ato poashtu dëmtojnë proceset demokratike dhe zhvillimin e vendit si dhe dëmtojnë kredibilitetin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja.
Në përfundim, Presidentja riafirmoi gatishmërinë e Kosovës për të qenë një partner i besueshëm në forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal./teve1/