Presidentja Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët për media me nënsekretaren amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen ka thënë se vizita e saj dëshmon përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim, shkruan gazeta online Reporteri.net.
E para e shtetit tha se mbështetja e ShBA-së ndaj Kosovës po vazhdon fuqishëm.
“E veçanta e raporteve tona me ShBA qëndron për faktin se kjo aelancë pasurohet dhe zgjerohet në vazhdimësi me qëllim të përballjes së suksesshme me sfidat më të reja globale. VIzita e Allen simbolizon jo vetëm partneritetin, por edhe dëshmon përkushtimin tonë për bashkëpunim, me qëllim të luftimit të sfidave të përbashkëta”.
“Kjo mbështetje po vazhdon fuqishëm edhe sot. Padyshim se sfidat shtohen, por bashkëpunimi ynë është materializuar në mënyra të jashtëzakonshme. Kemi nënshkruar disa marrëveshje me USAID, sikur dhe atë me MCC, e cila hyri në fuqi javë më parë. Kjo marrëveshje që e kemi nënshkruar sot është dëshmi e fuqizimit të raporteve mes dy shteteve tona. Nënshkruam marrëveshje në mënyrë që të bashkojmë forcat kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja”, tha Osmani.
Tutje ajo shtoi se nga sulmet hibride nuk është kursyer as Kosova, ku siç tha ajo Rusia përmes satelitit të saj, Serbisë ka ushtruar ndikim.
Osmani tha se marrëveshja e nënshkruar sot lehtëson shkëmbimin e informacionet, derisa falenderoi ShBA-në për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
“As Kosova nuk është kursyer nga sulmet, si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon përmes satelitit të saj, Serbisë. Rusia po përpiqet të ushtrojë ndikim duke targetuar sukseset dhe arritjet e angazhimit të përbashkët të Kosovës me ShBA-në. Ne si demokraci duhet të bashkohemi që ata mos të arrijnë këtë sukses. Marrëveshje e sotme lehtëson shkëmbimin e informacionit”, tha Osmani.
“Falenderoj Allen për vizitën dhe ShBA-ja janë aleati ynë kryesor”, tha presidentja.