Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot mori pjesë në hapjen zyrtare të punimeve të Samitit të krerëve të shteteve anëtare të Organizatës së Frankofonisë dhe takoi një numër të krerëve të shtetit e të delegacioneve të vendeve të ndryshme që ishin prezent në këtë samit që mblodhi 88 shtete.
Në hapje të samitit u diskutua mbi vlerat e përbashkëta të cilat i kultivon Organizata e Frankofonisë, përfshirë diversitetin kulturor, etnik e gjuhësor, si dhe parimet bazë të saj, sikur janë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, politik e social. Në samit, Presidentja u mirëprit nga Presidenti i Tunizisë Kais Saied dhe kryeministrja e Tunizisë, Najla Bouden dhe nga sekretarja e Përgjithshme e Frankofonisë, Louise Mushikiwabo.
Ndërkaq në margjina të samitit, Presidentja kishte diskutime me Justin Trudeau, kryeministër i Kanadasë, Emmanuel Macron, President i Francës, Charles Michel, President i Këshillit Evropian, Alexander De Croo, kryeministër i Belgjikës, Macky Sall, President i Senegalit, Paul Kagame, President i Ruandës, Mohamed Ould Ghazouani, President i Mauritanisë, Nikol Pashinyan, kryeministër i Armenisë, presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Shtetit të Katarit, z. Hamad Bin Abdulaziz Al Kawari, me Ioannis Kasoulides, ministër i Jashtëm i Qipros, me Sylvie Baïpo Temon, ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Afrikës Qendrore, me Moussa Faki, kryetar i Komisionit të Unionit Afrikan, si dhe me liderë të tjerë pjesëmarrës.
Më pas, Presidentja Osmani mbajti një fjalim në sesionin e parë plenar të Samitit të Frankofonisë i cili iu kushtua zhvillimeve në fushën e digjitalizimit. Në fjalimin e saj, Presidentja theksoi se si anëtare e familjes së madhe 88-anëtarëshe të Frankofonisë, shteteve iu takon të përcjellin mesazhe të rëndësishme, jo vetëm për paqen në botë, por edhe për mundësitë e zhvillimit në epokën digjitale, të cilat janë bërë të domosdoshme sidomos pas sfidave që na përcollën gjatë pandemisë.
Presidentja theksoi se vlerat e përgjithshme, siç janë solidariteti, diversiteti dhe barazia, të promovuara nga Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë, mund të ndikojnë në krijimin e një qasjeje të përbashkët si përgjigje ndaj sfidave.
Më tej, Presidentja Osmani foli mbi digjitalizimin, si vektor i rëndësishëm i zhvillimit të qëndrueshëm, duke u përqëndruar në ndikimin që ai ka në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe social. Ajo theksoi se Kosova përbën histori suksesi në zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative dhe të komunikimit dhe shtoi se Kosova po punon me këmbëngulje që ta reduktojë edhe më hendekun ndërmjet burrave dhe grave në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe zhvillimin teknologjik. Sipas Presidentes Osmani, zhvillimi i shpejtë teknologjik duhet të na përgatisë për përgjigjet ndaj sfidave të së ardhmes.
“Ne duhet të sigurohemi se do ta përdorim drejt dijen tonë, duke u kujdesur që përdorimi teknologjik t’i shërbejë afrimit dhe solidaritetit ndërmjet njerëzve dhe popujve”, theksoi ajo.