Presidentja, Vjosa Odsmani ka thënë se 25 vite më parë NATO me vete solli premtimin e lirisë, sigurisë që bota nuk kishte harruar popullin e Kosovës.
Osmani në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës ka thënë se hyrja e NATO-s në Kosovë ishte dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë.
“Ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishte harruar për popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë. Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë”, ka deklaruar Osmani.
Osmani e ka cilësuar NATO-n si dritë shprese dhe shans për drejtësi e liri.
“Kur paqeruajtësit e KFOR-it shkelën në tokën e Kosovës të përgjakur, të dërrmuar e të shkatërruar, atëherë lotët, britmat e lulet u shndërruan në përqafime që i pritën ushtarët e NATO-s. Ato krijuan simfoninë e emocioneve të lirisë. Kolonat e makinerisë ushtarake, zhurma e helikopterëve të NATO-s, uniformat me flamuj të shumtë që simbolizonin lirinë e jo urrejtjen e dhunën, të gjitha këto u shndërruan në simbol të shpëtimit të popullit të Kosovës nga shfarosja që synonte regjimi gjenocidal i Serbisë”, ka thënë ajo.