Presidentja në largim, Vjosa Osmani, ka deklaruar se po e përmbyll mandatin duke lënë pas rezultate të rëndësishme, gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës tek kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nga mesnata merr rolin e ushtrueses së detyrës së presidentes.
Në këtë ceremoni të mbajtur në Presidencë, Osmani u shpreh e kënaqur që posti do të vazhdojë të mbahet nga një grua, duke theksuar dëshirën që ky trend të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ajo nënvizoi rëndësinë e përkushtimit dhe kujdesit që gratë tregojnë ndaj institucioneve dhe qytetarëve.
Duke iu drejtuar Haxhiut, Osmani theksoi se përgjegjësitë e reja nuk do të jenë të lehta, duke kujtuar përvojën e saj të mëparshme si kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së presidentes në vitin 2021. Sipas saj, drejtimi i shtetit dhe përfaqësimi i unitetit kombëtar kërkojnë angazhim të madh dhe vendimmarrje të rëndësishme, sidomos në një kohë sfidash globale dhe rajonale.
Ajo gjithashtu shprehu shpresën që Kuvendi të arrijë sa më shpejt zgjedhjen e presidentit apo presidentes së re, në mënyrë që të sigurohet stabilitet institucional në vend.
“Ka një numër të folderave këtu, 1 për qind të punës sa për të filluar, që mbulojnë edhe politikën e jashtme edhe pjesën e drejtësisë, edhe të mbrojtjes dhe të fushave të tjera. Çka është me rëndësi është se do të jemi në dispozicionin tuaj të plotë unë dhe stafi, çdo ditë 24/7 për çka do që duhet për këtë shtet, informatë, mbështetje që ka nevojë vendi ynë, sepse angazhimi për shtetin s’është i lidhur asnjëherë me pozitat që mbajmë. E nuk do të jetë as tash e tutje. Çka do që keni nevojë jemi vetëm një thirrje larg”, ka thënë Osmani.
Osmani bëri të ditur se gjatë mandatit të saj janë realizuar procese të shumta të rëndësishme në fusha si politika e jashtme, drejtësia dhe mbrojtja, ndërsa një pjesë e punës mbetet për t’u vazhduar nga pasardhësja. Ajo garantoi se do të mbetet e gatshme për të ofruar ndihmë dhe mbështetje në çdo kohë, duke theksuar se shërbimi ndaj shtetit nuk lidhet vetëm me postin zyrtar.
Në fund, ajo theksoi se Presidencën po e lë të konsoliduar, me integritet dhe marrëdhënie të forta ndërkombëtare, duke e lidhur këtë trashëgimi me vizionin e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

