Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor në Kuvend tha se viti që po e lëmë pas ishte vit i ballafaqimit me shumë vështirësi të shtetit të Kosovës, sidomos në fushën e sigurisë.
Osmani tha se Kosova u përball me aktin më të rëndë të agresionit që nga pavarësia, me qëllimin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Presidentja tha se pavarësisht zmbrapsjes së sulmit të 24 shtatorit, kërcënimi nga Serbia nuk ka marrë fund. Ajo shtoi se Basnjka ishte vetëm një paralajmërim dhe Serbia nuk do të heqë do të heqë dorë nga planet e saj të errëta kundrejt shtetit të Kosovës.
“Po ju flas në fund të një viti jo të lehtë për shtetin tonë. Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi në veçanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator, Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që nga pavarësi. Një grup terrorist e paramilitar, i financuar dhe i trajnuar nga Serbia e mbi të gjitha i mbështetur nga shteti serb, kreu akt agresioni ndaj shtetit tonë me plan të qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim jo vetëm i vendit tonë por edhe të gjithë rajonit. Synimi ishte cenimi i themelit të Republikës sonë, për të cilën ranë shumë dëshmor. Ky sulm ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i synimit fashist të serbëve. Ky plan mori përgjigjen e merituar. Ata vranë një por mobilizuan mijëra djem e vajza nga radhët e policisë sonë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë. Kosova nuk zmbrapset, nuk thyhet dhe do t’i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht. Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë për ta shtrirë sundimin e ligjit në të gjithë territorin. Sulmi i 24 shtatorit dëshmoi sërish profesionalizimin e jashtëzakonshëm të institucioneve të sigurisë së Kosovës. Por, sulmi i 24 shtatorit është po ashtu tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale e saj nuk është e interesuar as për paqe të qëndrueshme, fqinjësi të mirë e as për përmbyllje të dialogut me Kosovën. Fatkeqësisht politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit. Ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim dhe Serbia nuk do të heqë do të heqë dorë nga planet e saj të errëta”, tha Osmani.
Osmani bëri thirrje për unifikim të faktorit politik në Kosovë, në mbrojtje të Republikës.
“Pikërisht në kohë të vështira populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës për mbrojtjen e shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica. Kjo u dëshmua edhe pas 24 shtatorit kur i gjithë faktori politik në vend u bashkua në mbrojtje të shtetit duke dëshmuar se në përballje me politikat hegjemoniste të Serbisë ne jemi një. Ne bashkërisht duhet të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë të palëkundër kundër përpjekjeve për ta goditur shtetin tonë. Në situatat të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake, apo ideologjike, duhet unitet pa dallim. Rreshtimi i vetëm që na duhet sot është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur dhe sovran. E kemi për detyrë ta lëmë më të fortë për brezat që vijnë pas nesh. Ne jemi pak për të qenë të ndarë. Duhet të jemi bashkë në përballje me Serbinë.”, tha Osmani ndër të tjera në fjalimin e saj në Kuvend.