Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në New York, ku pritet të takohet me liderë botërorë e përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Presidentja është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden”, njoftoi Presidenca.
Edhe Zotëria i Parë, “gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden”, siç njofton Presidenca.
Përgjatë kësaj vizite, Osmani në takime me homologët e saj pritet të flasë për “zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”. Ajo, siç njofton Presidenca, poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate.
“Përveç takimeve, Presidentja do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA”, thuhet në njoftim.
Në agjendën e Osmanit janë edhe disa aktivitete të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA.