Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas situatës së djeshme që u krijua në mbledhjen e KQZ-së, ku disa lista zgjedhore të partive nuk arritën të certifikohen për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Osmani e ka quajtur mbledhjen e djeshme të KQZ-së, si presion ndaj Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, e cila i kishte kërkuar KQZ-së që të certifikojë në pako partitë dhe kandidatët.
“Dje u bë presion marramendës ndaj Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim si dhe u tolerua dhe u ushtrua presion ndaj udhëheqësit të kësaj zyre e cila punon e pavarur politikisht”, tha Osmani.
Ajo ka kujtuar se kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, duhet të ruajë integritetin e institucionit që drejton dhe se nuk përfaqëson asnjë parti politike gjatë ushtrimit të kësaj detyre.
“Kryetarja e KQZ-së nuk përfaqëson asnjë parti politike por emërohet pikërisht për të mbrojtur paanshmërinë dhe ndershmërinë e këtij procesi, e detyrë edhe më e rëndesishme e saj është mbrojtja e integrititeti zgjedhor, ajo çfarë ka ndodhur dje e ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e KQZ-së, por e kemi detyrë që me çdo kusht ta shpëtojmë këtë proces. Prandaj në asnjë moment e në asnjë menyrë nuk duhet të lejojmë që të bimë në kurthat që ndërtohet me qëllim që ky proces zgjedhor të parandalohet e të stërzgjatet”, ka thënë Osmani në një paraqitje virtuale në rrjetet sociale.
Ajo shtoi se zgjedhejt duhet dhe do të mbahen më 14 shkurt dhe qytetarët duhet të lejohen të realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të përkrahin këdo që ata duan, duke paralajmëruar se do të marrë masa në rast se përsëriten situata si ajo e djeshmja.
“Në rast se ballafaqohemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ për të shtyrë përpara agjenda partiake, do të detyrohem të marr të gjitha masat për të mbrojtur këtë institucion ashtu siç e parasheh ligji për zgjedhje siç më detyron Kushtetuta e vendit”, tha ushtruesja e detyrës së presidentes.