Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, raporton Gazeta Sinjali.
Nga Presidenca është bërë e ditur se gjatë këtij takimi, Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si partner strategjik.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës. Ajo ritheksoi përkushtimin për avancimin e partneritetit strategjik mes dy shteteve, me synim forcimin e marrëdhënieve dhe përmbushjen e aspiratave të përbashkëta, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe bashkëpunimit ekonomik.”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të diskutimeve, sipas njoftimit, është biseduar edhe për procesin e konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Me këtë rast, Presidentja Osmani riafirmoi se veprimet e saj do të jenë gjithmonë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet, duke siguruar stabilitet institucional dhe respektimin e vullnetit qytetar.”, u theksua më tej.