Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pyetur sot nga mediat lidhur me situatën e krijuar me buxhetin e tri komunave: Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.
Ajo ka deklaruar se ka kërkuar nga partitë politike që të mblidhen dhe ta miratojnë buxhetin, duke theksuar se përgjegjësia për mospjesëmarrjen bie mbi subjektet politike.
“Kam kërku nga partitë të mblidhen dhe ta votojnë buxhetin, për këto komuna ka qenë pikë e veçantë, por kanë vendosur mos të jenë të pranishëm. Një gjë e tillë është e lejueshme, nuk është e kundërligjshme, pasi një gjë të tille e kemi votu edhe në Qeverinë Hoti”, ka thënë Osmani për Klan Kosova.
Komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut aktualisht përballen me borxhe të mëdha, pasi buxheti për vitin 2025 nuk është miratuar në kuvendet e tyre komunale. Po ashtu, buxheti nuk ka kaluar as në Kuvendin e Kosovës, pasi partitë opozitare e kanë cilësuar procedurën si të jashtëligjshme dhe kanë bojkotuar seancën e thirrur nga deputetët e VV-së.
Kjo situatë ka shkaktuar pasoja të menjëhershme në kryeqytet, ku nga sot është pezulluar puna e linjave të Trafikut Urban. Punëtorët e kompanisë kanë deklaruar se janë pa paga tash e gjashtë muaj dhe kanë protestuar fillimisht para Komunës së Prishtinës, e më pas edhe para Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka kërkuar takim kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën e rënduar të qytetarëve të kryeqytetit.










