Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar sot se bota demokratike duhet me vendosmëri t`i përgjigjet tendencave të Rusisë dhe Serbisë për destabilizim të Ballkanit Perëndimor.
Osmani gjatë një takimi në Ankara me homologun e saj turk Recep Tayyip Erdogan tha se Rusia dhe aleati i saj, Serbia synojnë ta destabilizojnë edhe Ballkanin Perëndimor, duke sfiduar dhe kërcënuar sovranitetin dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.
Gjatë këtij takimi, presidentja Osmani ka marrë konfirmimin e Erdogan se Turqia e mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, ajo ka përsëritur se ky proces duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.
Presidenti turk ndërkaq ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë Kosovën edhe më tej në sigurimin e njohjeve të reja, për të cilën gjë ka premtuar angazhim personal.
Në takimin ndërmjet të dy delegacioneve shtetërore janë diskutuar edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, shëndetësisë, këmbimit tregtar dhe ekonomik, turizmit etj.
Po ashtu janë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi në fushën e rinisë dhe sportit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Turqisë, një në fushën e pylltarisë dhe një memorandum mirëkuptimi për protokollin ndërmjet ministrive të Jashtme, thuhet në komunikatën për media të Presidencës së Kosovës.