Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se marrëveshja e grantit që ka nënshkruar me USAID-in është një rikonfirmim drejt vizionit të përbashkët me ShBA-në për një të ardhme më të mirë e më të qëndrueshme.
Në një konferencë për media me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, e para e vendit ka theksuar se ShBA-ja ka qenë dhe mbetet një partnere e përkushtuar dhe e palëkundur për popullin e Kosovës.
Osmani ka theksuar se çdo nismë që ka për synim përmirësimin e jetës së qytetarëve ka gjurmët e ShBA-së.
“Çdo herë, secila nismë dhe secili sukses që në qendër ka përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e institucioneve ka po ashtu gjurmët e ShBA-së. Sot nuk është aspak ndryshe, marrëveshja që sapo nënshkruam me USAID-in, është një rikonfirmim drejt vizionit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë e më të qëndrueshme”, ka deklaruar Osmani.
Tutje, ajo ka thënë se kjo marrëveshje nuk është vetëm një hap përpara në përpjekjet e përbashkëta të vazhdueshme për zhvillim, por edhe pasqyrim i fuqisë së bashkëpunimit të dy shteteve.