Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me bllokadën politike në vend dhe vonesat në krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të shkurtit.
Ajo theksoi se vonesat janë të dëmshme dhe që qytetarët e Kosovës po e paguajnë çmimin e këtij bllokimi, pasi ende nuk ka një Kuvend funksional që mund të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të miratojë legjislacionin e nevojshëm për zhvillimin e vendit.
“Në Kosovë kemi pasur zgjedhje të lira e demokratike në shkurt të këtij viti dhe pas një periudhe janë certifikuar rezultatet zgjedhore. Më 15 prill është mbajtur seanca e parë e parlamentit, ku kanë filluar edhe përpjekjet e para për krijimin apo konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë. Tani ka kaluar më shumë se një muaj nga përpjekjet e para në këtë drejtim dhe fatkeqësisht ende nuk ka sukses. Mirëpo, edhe nëse e krahasojmë me shumë vende të ndryshme në Evropë, ka raste kur përpjekjet për krijimin e një koalicioni qeverisës zgjasin me muaj të tërë, pra nuk është jashtë normës evropiane. Kjo nuk do të thotë megjithatë qe ne nuk shqetësohemi për këto vonesa. Si president jam e shqetësuar për këto vonesa, sepse barrën e këtyre vonesave e paguajnë qytetarët e Kosovës. Me moskonsituimin e Kuvendit ne nuk arrijmë ta kemi një Kuvend funksional, ku mund të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe ka edhe dëme të shumta të cilat ne i mbajmë si barrë, si qytetarë të Kosovës për shkak të mungesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Osmani duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përbashkët që pati me homologen e saj zvicerane.
Osmani përmendi se pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike të mbajtura në shkurt dhe pas certifikimit të rezultateve, më 15 prill është mbajtur seanca e parë e parlamentit.
“Megjithatë unë jam besimplotë që partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, shumë shpejt do të arrijnë një marrëveshje për ta kaluar këtë situatë të tanishme, sepse sa herë e vendosin vendin si parësor, interesat e shtetit para gjithçka tjetër, gjithmonë zgjidhja politike është afër”, u shpreh tutje Osmani.