Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në shënimin e 28 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmendi kontributin e ushtarëve dhe sakrificat që u bënë me 5, 6 dhe 7 mars.
Ajo tha se pikërisht në këto ditë e 28 vjet më parë, historia e Kosovës mori drejtim të ri, dhe se familja Jashari u bë kala, ndërkaq kullat e tyre u bënë flamur i përhershëm i lirisë sonë.
“Marsi, që në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, ishte muaji i përtalljeve, të cilat vendosën drejtimin e historisë sonë. Pikërisht më 5, 6 dhe 7 mars 1998, në zemër të Prekazit, historia jonë mori drejtim të ri. Këtu u gjetën qëndresa, sakrifica, heroizmi dhe armët tona në një vend. Në vendet e kullave në Prekaz, qëndroi komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, bashkë me të gjithë familjen e tij, duke zgjedhur sakrificën përpara përkuljes. Ata zgjodhën lirinë para frikës e mbi të gjitha zgjodhën nderin para jetës. Ato tri ditë marsi u bënë muaji i epopesë dhe i sakrificës që lindi një komb të tërë. Familja Jashari u bë kala, ndërkaq kullat e tyre u bënë flamur i përhershëm i lirisë sonë”, tha Osmani.
Osmani tha se këto tri data të 1999-ës është momenti kur Kosova vendosi të mos jetojë e gjunjëzuar.
“Sot kur kujtojmë 5, 6 dhe 7 marsin, kujtojmë momentin kur Kosova vendosi mos të jetojë e gjunjëzuar. Prandaj tri ditët e Epopesë janë histori e shkruar me qëndresë, para së cilës përkulemi sot e do të vazhdojmë të përkulemi përgjithmonë. 58 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri. Ky ishte kushtrimi që zgjoi Drenicën, Kosovën, mbarë kombin, por po ashtu zgjoi ndërgjegjen e të gjithë botës”, u shpreh ajo.
Tutje Osmani në fjalën e saj u shpreh se nga Prekazi nisi orteku i lirisë.
“Epopeja e marsit nuk është vetëm kujtesë emocionale. Është akt themelues i Republikës sonë dhe moment kur pushka e qëndresës u bë zë politik i një kombi që kërkonte vendin e vet në botë si komb i lirë. Nga Prekazi nisi orteku i lirisë që nuk u ndal më. Nisi një frymë që u përhap në çdo fshat e në çdo qytet. Nisi një betim se kjo tokë nuk do të nëpërkëmbet. Epopeja është epike sepse buroi nga populli”, theksoi ajo.
E për gjithë këto Osmani tha se Kosova ka detyrim kombëtar e moral ta transformojë kujtesën historike në vizion politik e zhvillimor.
“Sot kur përmendim emrin e Adem Jasharit, komandantit legjendar të gjithë familjes Jashari, kemi në mendje frymën dhe thirrjen që na kujton se liria asnjëherë nuk është dhuratë, por është sakrificë. Shteti është përgjegjësi dhe flamuri që e personifikon atë është amanet. Familja Adem Jashari nuk është vetëm simbol i flijimit, por edhe i dinjitetit të lartë shtetëror. Me heshtje fisnike dhe me një qëndrim të palëkundur, familja Jashari vazhdon të jetë aty ku e vendosi historia, në piedestalin më të lartë të sakrificës për atdheun. Me kujtimin e heronjve dhe të kaluarës sonë, me kujtimin e gjithë dëshmorëve që rranë e u flijuan për lirinë tonë, ne afirmojmë edhe të ardhmen. Kosova ka mësuar se liria kërkon vizion, vendosmëri dhe mbrojtje të vazhdueshme. Secili qytetar i joni është partner i këtij projekti kombëtar. Çdo vendim i drejtë dhe i mençur forcon themelet e shtetit tonë. Prandaj kemi detyrimin kombëtar e moral ta transformojmë kujtesën tonë historike në vizion politik e zhvillimor, në Kosovë të fuqishme ku vendimmarrja strategjike dhe integriteti institucional sigurojnë prosperitetin e brezave që vijnë pas nesh. Ky është amaneti i epopesë së UÇK-së“, tha ndër tjerash presidentja.

