Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se të martën në New York është takuar me Zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan.
Osmani ka thënë se në takim ka ritheksuar rëndësinë jetike të aleancës me SHBA-të, e cila, sipas saj, është themel i sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe rrugës së Kosovës drejt integrimit euroatlantik.
Ajo ka shtuar se mbetet e përkushtuar ta mbrojë dhe ta forcojë këtë miqësi ‘të ndërtuar mbi besim dhe bashkëpunim reciprok’.
“Pas një bisede telefonike përmbajtësore të zhvilluar ditë më parë, u takova në New York me Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit. Ritheksova rëndësinë jetike të aleancës me SHBA-të, e cila është themel i sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe rrugës sonë drejt integrimit euroatlantik. Mbetem e përkushtuar ta mbroj dhe forcoj këtë miqësi të ndërtuar mbi besim dhe bashkëpunim reciprok”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndryshe, presidentja Osmani po qëndron në New York për takime me homologë dhe aktivitete të tjera zyrtare përgjatë Javës se Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të mbahet nga data 22 shtator deri më 30 shtator.