Osmani takon Tërnavën: Kosova është krenare që mban lart nivelin e harmonisë ndërfetare
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur në takim kreun e Bashkësisë Islame të Kosovë, Naim Tërnava.
Presidenca ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për anagzhimin e Bashkësisë Islame në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, traditën e tolerancës ndër fetare dhe nevojës për vazhdimin e kultivimit të saj, shkruan teve1.info
“Presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për përpjekjet e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për dialog, mirëkuptim dhe unitet ndërmjet të gjithë komuniteteve fetare në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani ka thënë se Kosova është krenare që vazhdon të mbajë lart nivelin e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare.
“Në një kohë ku paqja dhe mirëkuptimi global janë më të rëndësishme se kurrë, Kosova është krenare që vazhdon ta mbajë lart nivelin e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare”, ka thënë Osmani.
Në takim thuhet se “u potencua roli jetik i të gjitha bashkësive fetare dhe nevoja e një angazhimi të përbashkët kundër gjuhës së urrejtjes dhe në favor të tolerancës, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë”.