Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, në ditën kur një qytetar i Kosovës ka humbur jetën nga coronavirusi, ka thënë se sot Kosovës i duhet jo vetëm solidaritet qytetar, por edhe solidaritet politik.
Osmani, përmes një postimi në rrjetin social Facbook, thotë se “Është koha të tregojmë jo vetëm përgjegjësi institucionale, por mbi të gjitha përgjegjësi morale. Është koha të punojmë bashkë sot, që e nesërmja të mos na mallkojë”.
“Ne nuk mund të lejojmë që në këtë kohë tmerri të triumfojë virusi i përçarjes dhe jo forca e bashkimit ndaj së keqes. E sotmja është kohë e solidarizimit të plotë, jo e ndarjeve; është kohë e betejës ndaj virusit vdekjeprurës, prandaj heshtat tona duhet t’i drejtojmë kundër pandemisë dhe jo kundër njëri-tjetrit..”, ka shkruar Osmani, përcjell Telegrafi.
Postimi i plotë i Osmanit:
NUK KA ASGJË MË TË SHENJTË SE SA MBROJTJA E JETËS SË QYTETARËVE TANË
“Sot, Kosova u zgjua me dhembje për humbjen e jetës së një qytetari tonë nga virusi Covid 19. Ndjenjat tona sot janë me familjarët e tij e me qytetarët e vendit, të cilët po e përjetojnë ankthin e krijuar nga pandemia.
Në këtë kohë kur bota e qytetëruar po tregon solidaritet të jashtëzakonshëm ndaj njëri-tjetrit dhe kur qeveritë si dhe pushtet e opozitë anekënd botës janë bashkuar në betejën globale kundër pandemisë më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore, është koha që të gjithë përfaqësuesit politikë të bashkohen me mantelbardhët tanë në betejën e tyre për shpëtimin e jetëve të qytetarëve.
Ne nuk mund të lejojmë që në këtë kohë tmerri të triumfojë virusi i përçarjes dhe jo forca e bashkimit ndaj së keqes. E sotmja është kohë e solidarizimit të plotë, jo e ndarjeve; është kohë e betejës ndaj virusit vdekjeprurës, prandaj heshtat tona duhet t’i drejtojmë kundër pandemisë dhe jo kundër njëri-tjetrit. Duhet që betejat politike t’i shmangim menjëherë dhe në vend të tyre, ashtu sikur jemi betuar ne që morëm besim qytetar, të punojmë për përmirësimin e jetës së njerëzve tanë. Në këtë kohë të rëndë pandemie, kjo nënkupton mbrojtjen e jetës së qytetarëve tanë dhe përkrahjen e pakusht të profesionistëve tanë, të cilët po e bëjnë të pamundurën për menaxhimin e kësaj situate të rëndë.
Kosovës i duhet sot jo vetëm solidaritet qytetar, por edhe solidaritet politik. Është koha të tregojmë jo vetëm përgjegjësi institucionale, por mbi të gjitha përgjegjësi morale. Është koha të punojmë bashkë sot, që e nesërmja të mos na mallkojë”, ka shkruar Osmani.
Në Kosovë u konfirmua sot viktima e parë nga coronavirusi.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se viktima është një pacient 82 vjeç nga Dumnica e Podujevës.
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, kërkoi sotnga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë masa shtesë kundër koronavirusit, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas viktimës së parë nga coronavirusi në Kosovë, duke ngritur dyshimet e tij nëse Qeveria është duke ndërmarrë masat e duhura në luftimin e kësaj epidemie.
“Para pesë ditësh edhe unë dhashë idenë për aplikimin e masave të jashtëzakonshme, sepse isha dhe jam i bindur se askënd s’duhet ta pengoj që të gjithë ta bëjnë punën e vet në këtë situatë. Se nuk është koha ti masim muskujt, se kush është më i forti, por të bashkojmë muskujt, të krijojmë sinergji, ku 1+1 bëjnë 3”, ka thënë Mustafa.
Pas konfirmimit të viktimës së para nga coronavirusi në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se në rast nevoje, institucionet duhet të jenë të gatshme që menjëherë të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.
Kosova, javën e kaluar, ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.
Në kuadër të masave të ndërmarra janë mbyllur shkollat, kafiteritë, parqet, janë pezulluar disa linja tokësore dhe ajrore e të tjera.
Në Kosovë aktualisht janë 31 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa të dielën është regjistruar viktima e parë. /Telegrafi/