Ndonëse në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), Kosova numëron 116 njohje, nga Serbia kanë ardhur lajme se trembëdhjetë vende kanë tërhequr njohjen e pavarësisë.
Ditë më herët u paralajmërua edhe për një tërheqje të njohjes nga Republika e Palauit, edhe pse ky shtet figuron ende në listën e njohjeve.
Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme, Vjosa Osmani i tha Ekonomia Online, se krejt kjo po vije si rezultat i punës jo të mirë të MPJ-së. Ajo tutje ka shtuar se Serbia po e keqpërdor hapjen e temës së kufijve, duke i bindur disa shtete të tërheqin njohjet.
“Ne në përgjithësi si komision kemi vlerësuar se puna e MPJ-së nuk ka qenë e kënaqshme dhe mbi të gjitha që ka pas një çakordim total të institucioneve të Kosovës, pra mes MPJ-së, dikastereve qeveritare dhe presidencës në fushën e politikës së jashtme. Ky çakordim, ky jo unitet natyrisht se i ka edhe pasojat e veta, por problemi themelor është fakti që në kontekst ndërkombëtar, presidenti i vendit me ndihmën e disave në pushtet e ka hapur temën e kufijve. Momentin që e ka hapur temën e kufijve hapet tema e shtetësisë së Kosovës, rrjedhimisht, Serbia këtë po e keqpërdor për të bindur disa shtete edhe të deklarojnë që e kanë ndryshuar mendjen sa i përket njohjes”, tha ajo.
Osmani ka thënë se MPJ duhet të punoj me shtetet mike për një strategji përmes së cilës do të parandalohen tërheqjet e njohjeve. Ajo tutje ka shtuar se duhet të shikohet se ku kanë shkuar mjetet e lobimit për të ditur nëse janë shfrytëzuar për interesa shtetërore apo individuale.
“Duke parë financimin, investimin jashtëzakonisht të madh të Serbisë për të bindur disa shtete kryesisht të vogla që të pajtohen me përmbajtje të letrave në të cilat thuhet se po e ngrin ose po e pezullojnë çështjen e njohjeve. Ministrisë së Punëve të Jashtme i duhet të bëjë një strategji që përfshinë të gjitha institucionet jo vetëm MPJ-në në mënyrë që të punohet në të gjitha drejtimet, të punohet në të gjitha rajonet gjeografike dhe të parandalohen situatat e tilla. Natyrisht Kosova këtë betejë nuk mund ta bëjë vetë sepse nuk ka mundur asnjëherë, prandaj, duhet t’i kemi në krah partneret tanë strategjik në veçanti Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë, dhe shtetet tjera të BE-së të cilat na kanë ndihmuar t’i arrijmë njohjet e deri tanishme në mënyrë që të sigurohemi që bashkë me ta të bllokojmë ndryshimin e mendjes në ndonjë shtet. Për këtë duhet të shikohet se ku kanë shkuar gjithë ato mjete të lobimit, gjithë ato miliona, në qoftëse nuk i ka shfrytëzuar ministri i jashtëm, atëherë kush i ka shfrytëzuar sepse ato kanë qenë për lobim për interesa të Kosovës dhe jo për interesa individuale”, tha ajo.