Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila garon në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, sot bashkë me kandidatin për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurtin, kanë mbajtur tubimin përmbyllës në Prishtinë.
Para qindra qytetarëve, numri 2 i VV-së thumboi kreun e ish-partisë së saj, Isa Mustafa, duke thënë se më 14 shkurt do të pensionohen ata që thonë se qytetari nuk vendosë, shkruan Reporteri.net.
Tutje, Osmani ka thënë se më 14 shkurt po vjen Qeveria Kurti 2 dhe Kosovën e pret një ndryshim i madh.
“Më 14 shkurt do të ju japim pensionimin politik atyre që thonë se populli nuk vendos. Qeveria 2 po e pret Kosovën, ndryshimi i madh po e pret Kosovën. Vullneti juaj nuk do të shkelet kurrë”, ka thënë Osmani.
Kjo deklaratë e Osmanit erdhi disa javë pasi Mustafa tha se qytetari nuk vendosë se kush do ta udhëheqë vendin.
“Qytetari nuk vendos kush do ta qeverisë vendin, vota e qytetarit vendos për deputetët dhe vendos se cila parti do të ketë më pak deputetë, por qytetari nuk vendos se kush do ta qeverisë vendin sepse në zgjedhje të përgjithshme nuk votohet për qeveri por për parlamentin”, kishte thënë Mustafa.