Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Administrata e Donald Trump, me deklaratat e saj po bënë thirrje që Evropa të zgjohet e të punojë më shumë për mbrojtjen e vet.
”Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një kontribut historik për një Evropë të lirë dhe në paqe. Është një kontribut që askush nuk mund ta fshijë, apo ta vendosë në pikëpyetje. Dhe mendoj që për shkak të atij kontributi historik që solli liri në Evropë, SHBA ka çdo të drejtë të flasë kur ka disa gjëra që ata mendojnë se nuk janë të bazuara në vlerat që ata u besojnë dhe besimeve që ndajnë”, është shprehur Osmani në një intervistë të dhënë së fundit.
Ndër tjera, Osmani ka përmendur një vlerësim të saj ku thotë se presidenti Donald Trump i bënë gjërat më ndryshe, por që të cilat shpesh rezultojnë edhe më të suksesshme.
”Thjesht, presidenti amerikan ka një mënyrë më ndryshe për t’i bërë gjërat, ka një qasje ndryshe për t’i zgjidhur problemet dhe ndonjëherë kjo del të jetë më e suksesshme se çfarë kemi parë në të kaluarën”.
Mbi këto zhvillime, ajo nuk mendon që lidhja mes SHBA-së dhe Evropës është në rrezik.