Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë për të dytën herë se Presidenti Trump e ka ndalur eskalimin në kufirin Kosovë-Serbi – ose më saktë atë që Beogradi po përpiqej të bënte në kufirin me Kosovën.
Këto deklarata Osmani i ka bërë gjatë një diskutimi në Hudson Institute ku ka qenë mysafire.
“Siç e ka thënë Presidenti Trump ai e ka parandaluar një tension, e ka parandaluar një eskalim, atë që Serbia po përpiqej ta bënte në kufirin me Kosovën. Por, ishte angazhimi i tij personal dhe roli i tij që e parandaloi që është një lidership i vërtetë në ruajtjen e paqes”, ka thënë Osmani.
“Sepse paqja, siç e dimë të gjithë nga lufta në Ukrainë, nuk duhet të merret kurrë si e mirëqenë. Është diçka që duhet mbrojtur vazhdimisht, duhet kultivuar vazhdimisht. Dhe roli i Shteteve të Bashkuara në këtë përpjekje është thelbësor. Është i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm”, shtoi Osmani.