Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga partitë politike që t’i propozojnë emrat për anëtarë të rinj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Raportohet se shefja e shtetit një shkresë të tillë tashmë u ka dërguar grupeve parlamentare që janë regjistruar në Kuvendin e Kosovës.
Burime kanë treguar për Nacionale se në këtë shkresë presidentja Osmani ka kërkuar nga partitë politike propozimet e tyre të dërgohen në Presidencë brenda afateve ligjore.
Mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është i lidhur me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë tregon se shefja e shtetit është e obliguar që jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend të ua kërkojë grupeve parlamentare propozimet për anëtarë të KQZ-së.
Në nenin 61 të këtij ligji, ku flitet për mandatin dhe emërimin e anëtarëve të KQZ-së, jepen detaje për këtë çështje.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, bazuar në rezultatet që kanë dalur nga zgjedhjet e përgjithshme, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, u kërkon grupeve parlamentare/subjekteve politike që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtar të KQZ”, thuhet në paragrafin 6 të këtij neni.
Më tej, në këtë nen tregohet se brenda çfarë periudhe kohore partitë politike duhet t`i përgjigjen presidentes Osmani.
“Grupet parlamentare/subjektet politike brenda afatit prej shtatë (7) ditësh i dërgojnë propozimet e tyre dhe emërimi nga Presidenti bëhet brenda pesë (5) ditësh nga dërgimi i propozimeve”, thuhet në këtë paragraf.
Mandati i anëtarëve të KQZ-së është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend.
Fillimi i mandatit sipas këtij paragrafi, nënkupton përfundimin e mandatit paraprak.
KQZ-ja ka 11 anëtarë. Aktualisht LV-ja përfaqësohet nga dy anëtarë(Sami Kurteshi, Alban Krasniqi). Edhe PDK-ja në këtë mandat përfaqësohet me anëtarë (Arianit Elshani dhe Ilir Gashi). Nga një anëtar kanë LDK-ja(Sami Hamiti) dhe AAK-j(Ihraim Selmanaj).
Ndërsa pesë përfaqësuesit tjerë iu takojnë partive nga komunitet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit e ka certifikuar më 27 mars.