Ish-nënkryetarja e Parlamentit, Vjosa Osmani e ka akuzuar Kryeministri Avdullah Hoti se po e sfidon rendin kushtetues me deklarata se do të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin, e cila ishte shpallur jokushtetuese në shumë pika.
Reagimi i Osmanit vjen pasi Shefi i Qeverisë tha se Asociacioni do të zbatohet nëse Serbia e njeh Republikën e Kosovës.
“Unë mendoj që ky është sfidimi më i madh sistemit tonë kushtetues që i bëhet nga një kryeministër përgjatë këtyre viteve të fundit, sepse çdo kryeministër nga viti 2015 e tutje, ka thënë se ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, rrjedhimisht nuk mund të zbatohet marrëveshja e vitit 2015. Duhet të zgjedhësh në mes të Kushtetutës tënde dhe Marrëveshjes se vitit 2015, ose dokumentit, sepse gjykata e ka konsideruar dokument të ndërmjetmë dhe jo marrëveshje”, ka thënë Osmani në një deklaratë për REL.
Vjosa Osmani ka intensifikuar sulmet ndaj zyrtarëve të LDK’së dhe ka paralajmëruar formimin e një partie të re politike prej kohës kur Isa Mustafa e përjashtoi nga funksionet partiake pasi Kryetarja e Parlamentit mbante qëndrime të njëjta me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.
Madje, Osmani kishte thënë se edhe zogjtë e malit e dinë se ka qëndrime të njëjta sikur të ish-Kryeministrit Kurti.
Osmani ka akuzuar zyrtarët e LDK’së se nuk po e mbajnë fjalën publike derisa Avdullah Hoti ka thënë se Vjosa Osmani e kupton tek pas tri viteve se e ka gabim, duke përmendur faktin se Kryetarja e Parlamentit kishte votuar demarkacionin vetëm kur në krye të Qeverisë ishte Ramush Haradinaj por jo edhe kur Shef i Qeverisë ishte Isa Mustafa.