Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se zgjedhjet e parakohshme në veri të vendit nuk nënkuptojnë referendum.
Sipas Osmani, zgjedhjet e parakohshme janë të përcaktuara në kushtetutë dhe ashtu edhe do të vendoset. Ajo ka treguar dy mënyra se si mund të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme.
“Ju e dini që menjëherë pas tensionimit të situatës në veri, në takimet që kam pasur me kancelarin Scholz dhe presidentin Macron dhe në komunikimin me ShBA-në kam propozuar si zgjidhje, zgjedhjet e parakohshme, ato janë të mundshme sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”.
“Nëse kryetarët japin dorëheqje ose nëse qytetarët kërkojnë largimin e tyre përmes peticionit. Po krijohet një lloj paqartësie që po lidhet me referendumin, por kjo nuk ka farë të bëjë me referendumin. Quhet kategori e largimit të kryetarit”, ka thënë Osmani në një konferencë për media gjatë vizitës në Komunën e Istogut.
Sipas saj, kjo çështje është e rregulluar me ligj dhe krejt çka duhet është që çështjet teknike të afateve të rregullohen.
“Ky peticion duhet të vijë nga votuesit e regjistruar. Të gjitha këto çështje janë të thjeshta dhe krejt çka duhet është vullnet”, ka thënë më tutje presidentja.
Ajo po ashtu ka kërkuar që Serbia ta dëshmojë që nuk do të ndërhyjë ilegalisht në zgjedhje që mbahen në komunat e Republikës së Kosovës.